Mustafa Lamaj

Refleksione Ngjyrash

Një takim me pikturat e artistit që ka krijuar tanimë “botën” e tij të kontrasteve. Pas morisë së ngjyrave dominuese, një detajim i plotë dhe depërtues në konceptet sa reale, aq edhe abstrakte të piktorit të njohur. Ai ka punuar një numër të madh peizazhesh, portretesh e natyra të qeta, ku shpesh spektri i ngjyrave të ngrohta dhe dominuese, bëhen "mikpritësit” e parë sa herë që sodit krijimet artistike të tij. Duket se ato plotësojnë karakterin dhe tiparet e mirëfillta të veprës së piktorit Mustafa Lamaj, jo vetëm si cytje dhe frymëzime spontante, por si zgjedhje të rëndësishme të jetës të shkëputura nga histori personale, çështje retrospektive, etj. Paleta e pasur kromatike, nis e çlirohet gradualisht nga format e rënduara, duke krijuar kushte dhe atmosferë artistike të favorshme, ngasje për të cilën ai ka investuar bindshëm ndër vite. Linja të pikturuara me ngjyra të forta dhe evidentuese, duke krijuar hapësira të volitshme drejt një perspektive të caktuar. Tablo, imazhe që transmetojnë gjendje dhe konkluzione artistike, të cilat përcillen mjeshtërisht nga piktori Mustafa Lamaj në ekspozitat e njëpasnjëshme të tij, si ato individuale, ashtu edhe kompeticione artistike ndërkombëtare.

Për disa vite iu desh të punonte si artist gjatë viteve të regjimit komunist, dhe për t'i shpëtuar kësaj tutele vendosi lë largohej nga Shqipëria. Në vitin 1991 nisi të punojë si artist freelance në Itali, dhe më pas në vitin 1997, u largua në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku jeton edhe aklualisht, në Filadelfia. Ekspozitat e tij ndër vite janë të shumta, ku veçohen ato me titull "Yesterday, Today, Tomorroë", "Time and Places", "Back to Cezzane", e shumë të tjera.

Punimet tuaja artistike, duket se janë një mishërim i plotë i ngjyrave, kontrasteve, etj. Si ndiheni brenda kësaj "bote" të bukur nuancash?

Mendoj se një artist nuk ndjehet dhe aq komod brenda "botës" që krijon, më saktë asaj që kërkon të krijojë, të paktën unë jo, E mendoj më shumë atë si një "betejë" ,e cila s’ka të bëjë me probleme teknike apo aftësinë e të pikturuarit, është e pa qëllimshme natyrisht. Eshtë një "luftë" me tendencë për qartësi, e cila të çon në një lloj tensioni shumë të nevojshëm për një vepër arti. Aty rrezikun e ke me vete, ajo që krijon është e kërcënuar, është tepër e mundshme të dështosh por ka një pasojë fatlume që mund të të çojë në brigje interesante.

Vala e regjimit komunist që diktonte çdo formë të artit që lëvrohej asokohe, e bëri shumë të domosdoshme nevojën tuaj për liri. Kjo ishte një nga arsyet pse u larguat nga Shqipëria?

Mendoj se po… Periudha e zymtë e së shkuarës na kishte shndërruar në ëndërrimtarë, ishim një grup i ngushtë djemsh pasionant dhe me një dashuri të madhe për artet, ishim me fat sepse u rritëm buzë një peizazhi fantastik, bregut të detit, ajo ishte studioja, shkolla jonë, atje ishin hapat e para të "plein air" aq të domosdoshëm për një artist te ri. Për më tepër pikërisht atje mbaronte bota e izoluar shqiptare, atje projektoheshin ëndrrat tona, ai horizont, qiell, det, ishte tabloja jonë gjigande. "The imaginary of our representation" nëse do të përdorja fjalët e Baudrillard.

Si kanë qenë fillimet e përshtatjes, në një vend të huaj bashkë me gamën e krijimeve të para në këtë periudhë?

Dy botë...të ndara, nga një vijë demarkacioni që ndan fort këto dy periudha. Eshtë një linjë e forte, e ashpër që është gdhendur "in our Unconscious". U gjenda papritur pikërisht në atë "telajo gjigande" ku ishin thurur ëndrrat tona. Nuk ndodh shpesh në jetë...Pastaj shikon që realiteti është ndryshe nga çfarë ëndërroje, rasti im ishte më specifik, ndoshta më i favorshëm apo ndoshta më i pa favorshëm. Edhe pse i ri, gjatë atyre viteve isha viktimë e dilemës “të jesh a të mos jesh ” artist! Në fillim pa pritur gjendesh në darën e një mekanizmi tjetër, duhej kohë të shkundje ëndrrën, aty fillonte dhe vrasja artistike...ose lufta, lufta e gjatë për mbi jetesë, vitet e Italisë...zhgënjimi, rikthimi nga kishe ardhur, nga pikëpamja artistike ka qenë periudhë e ç’orientuar dhe kaotike. Pastaj ç’do të thoshte të ishe artist në atë botën tjetër, arti kishte mekanizma të tjera, të duhej një jetë ta kuptoje…

A keni "dokumentuar" artistikisht disa nga reminishencat e atij regjimi. Ç’do të thotë për një artist të kthehet pas në restrospektivë duke kulmuar me punime të ndryshme?

Eshtë e çuditshme, Eshtë një referencë që s’i shpëton dot, madje është ngulur aq fortë në inkoshiencë sa të krijon edhe probleme me procedimin tënd artistik. Nuk janë të pakta rastet që filloj të bëj diçka me imazhe të së shkuarës, por ato asnjëherë nuk kanë marrë formë apo janë përfunduar. Natyrisht ato "reminishenca" janë gjithmonë aty në linjën, ngjyrën, kompozimin etj, do të thosha janë në majë të penelit, dhe sa më i çliruar të jesh nga ato reminishenca që shpesh shfaqeshin në njolla të errëta apo në një farë lloj "narrativiteti" të së shkuarës aq më natyrshëm do të zënë vend ato në hapësirën që i takon gjithmonë pa "violentuar formën artistike" nëse do të përdorja fjalët e një kritiku.

E kaluara e një populli kthehet shpesh në identitet që përvijohet në kontekstin politik, social, etj. Sa e lehtë është për një artist që t'i përshfaqë këto detaje në punimet personale?

Përsa i takon artit, si proces dhe marrëdhënieve të tij me reston tjetër, do të thoja se arti në disa dimensione ngjet me minierën, ai bëhet thellë nën tokë, dhe duhet luftë e mund të arrish tek minerali. Pastaj të tjerët e mbajnë si stoli, por gjatë atij "procesi " ai duhet të jetë në shtratin e tij në natyralitetin e tij, “kompromisi” është vrasësi më i madh i tij; sa me "i pastër" të jetë ai, jo në kuptimin e "formalizmit ", aq më shumë i shfaq vetitë e tij. A s’është e njëjta gjë me "gurin e çmuar "? Raportet e artit me "rrethanat " pra kontekstin social, politikën, identitetin e tjera, janë të pa shmangshme por mendoj se duhet të jenë të pa kondicionuara, duke folur me gjuhën specifike të mediumit të tij.

Ju keni qenë disa herë pjesëmarrës në kompeticione ndërkombëtare artistike. Cilin do të veçoje si më të suksesshmin?

Kam ekspozuar rregullisht, veçanerisht në Philadelphia, Neë Jersey krahas artistëve të tjerë profesionistë. Punët e mija janë prezantuar për një kohë jo të shkurtër nga "Artist's house gallery", si dhe në evente të tjera. Ekspozimi për një artist është një eveniment i rëndësishëm, por sot është problematik raporti artist-galeri aq më tepër në një shoqëri konsumeriste, ku dhe muzet po kthehen ne qendra gjigande. Problemi tjetër është teknologjia, galeritë po kalojnë on line, këtu është kontradita e madhe, arti si natyrë nuk pranon asnjë lloj "virtualitei ". Jam shumë optimist se arti i pikturës do ta gjejë forcën ta kapërcejë këtë situatë, gjithmonë e ka gjetur dhe kapërcyer.

Forma, subjekti, si dalin në pah respektivisht këto detaje në krijimet e tua?

Eshtë e vështirë të interpretosh artin tënd, një gjë e tillë mendoj se është e bezdisshme, ai vetë duhet të flasë për artistin. Unë jam partisan i kësaj teorie, gjithashtu interpretimet janë të hapura tek ata që arrijnë të krijojnë marrëdhenie me një vepër arti. Personalisht mundohem të çlirohem nga çdo lloj subjekti, narrativiteti, qoftë dhe ai "formal" pra ai për hir të formës. Të dyja janë të rrezikshme në natyrën e pikturës sime, të cilat më krijojnë gjithmonë problem. Çdo artist duhet të ketë kujdes nga "literary spirit" siç e këshillon Cezanne, e cila të largon nga rruga e vërtetë, dhe kjo nuk është e lehtë, në mënyrë që gjithçka të rrjedhë në natyralitetin e tij.

Qëllimi parësor, artistik e profesional, cili është?

"E vetmja kërkesë legjitime që mund të pretendohet nga arti është që ai të jetë i mirë, estetikisht i kënaqshëm " thotë Klemente Greenberg, ky është edhe qëllimi im i vetëm.

Projektet e ardhshme?

Puna ime është një lloj trajektoreje e pa planifikuar brenda vazhdimësisë së saj. Për momentin po punoj me një seri eklektike objektesh, ndërkohë po mbledh dhe një sërë imazhesh të vjetra të periudhës para ‘90-tës, të shohim çfarë do të dalë nga ato…

Intervistoi Mirela Isufi, Revista Elegance(Albania’s lifestyle magazine), Qershor 2016